Showing 1-20 of 89 items.

Ha, Mimë.

Pasha librin (Kur’anin) sqarues!

S’ka dyshim se Ne e bëmë atë Kur’an arabisht, në mënyrë që ju ta kuptoni.

Dhe se në librin amzë (Lehvi mahfudh) te Ne, gëzon famë të lartë dhe është plot urtësi.

A thua Ne ta lëmë këshillimin ndaj ju e t’ju braktisim, pse ju jeni popull i shfrenuar?

E, sa pejgamberë kemi dërguar te popujt e lashtë?!

Dhe nuk u erdhi atyre asnjë pejgamber, e të mos tallen me të.

Andaj, Ne i zhdukëm ata që ishin më të fuqishëm se këta dhe shembulli i atyre të mëparshmive është përmendur më parë (në Kur’an).

Nëse ti i pyet ata: “Kush i krijoi qiejt dhe tokën?” Me siguri do të thonë: “Ato i krijoi i gjithfuqishmi, i dijshmi!”

Ai që tokën e bëri djep për ju dhe u mundësoi të keni rrugë nëpër të, e të mund të orientoheni (për qëllimet tuaja).

Dhe Ai që lëshon nga qielli ujë (shi) me masë. Ne i japim me të jetë një vendi të vdekur. Ja, kështu edhe ju do të nxirreni (të gjallë nga varrezat);

Dhe Ai që krijoi të gjitha llojet (çiftet) dhe ju mundësoi të udhëtoni hipur në anije ose në kafshë.

Të uleni mbi to dhe atëherë, pasi të jeni vendosur mbi to, ta përkujtoni të mirën që u dha Zoti juaj e të thoni: “Falënderuar qoftë Ai që i nënshtroi këto për neve, sepse ne nuk do të kishim mundësi ta bënim këtë.

Dhe ne me siguri do të kthehemi te Zoti ynë!”

Megjithatë (pranuan se Zoti është i vetmi krijues), ata i përshkruan Atij pjesë (fëmijë) nga robërit e Tij. Njeriu i tilë njëmend është mohues i hapët.

A mos Ai nga ato që krijoi, për vete përcaktoi vajza, kurse juve u dalloi me djem?

E kur ndonjëri prej jush lajmërohet me (lindje të vajzës) atë që ia pat përshkruar Zotit shembull, fytyra e tij, nxihet dhe i zihet fryma.

A, atë që rritet me stoli, e në dialog është i paqartë (ia përshkruajnë Zotit)?

Edhe engjëjt që janë adhurues të Zotit i quajnë femra? A prezentuan ata krijimin e tyre (melekëve)? Dëshmia e tyre do të regjistrohet dhe ata do të merren në pyetje.

Ata pastaj thanë: “Sikur të kishte dashur All-llahu, ne nuk do t’i adhuronim ata (as idhujt e as melaiket). Ata nuk kanë për këtë (që thonë) ndonjë fakt, ata vetëm gënjejnë”.