Showing 61-69 of 69 items.

Nëse ti i pyet ata: “Kush krijoi qiejt e tokën, kush i nënshtroi (të lëvizin) diellin dhe hënën?” Ata do të thonë: “All-llahu!” E si prapsoheni, pra?

All-llahu i jep furnizim atij që do nga robërit e vet, e ia pakëson (shtrëngon) aitj që do. Vërtet, All-llahu është i gjithdijshëm për çdo gjë.

Dhe nëse ti pyet ata: “Kush e lëshon shiun nga qielli dhe me të e ngjall tokën pas vdekjes së saj?” Ata thonë: “All-llahu!” Thuaj: “Falënderimi i qoftë All-llahut, por shumica e tyre nuk mendojnë”.

Kjo jetë e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se dëfrim e lojë, e jetë e vërtetë, padyshim është ajo e botës së ardhme (Ahireti), sikur ta dinin.

(Idhujtarët e dinë për All-llahun pse) Kur hipni ata në anije (u këputet lidhja me tokë, dhe frikësohen) i luten sinqerisht All-llahut, e kur i shpëton ata (dhe dalin) në tokë, qe, po ata të njejtit lusin idhuj!

Po le të përbuzin ato të mira që ua dhamë dhe le të kënaqen, (e mos të besojnë), se më vonë do ta kuptojnë.

A nuk e kanë vërejtur ata se Ne kemi bërë vendin e shenjtë (Mekën) të sigurt, e njerëzit për rreth tyre rrëmbehen (plaçkiten, mbyten). Po, a i besojnë ata të kotës, e të mirat e All-llahut i përbuzin?

E kush është më mizor se ai që shpif gënjeshtër ndaj All-llahut, ose përgënjeshtron të vërtetën pasi t’i ketë ardhur ajo? Po, a nuk është Xhennemit vend për jobesimtarët?

E ata, të cilët luftuan për hir Tonë, Ne, me siguri do t’i orientojmë rrugës për te Ne, e nuk ka dyshim se All-llahu është në krahun e besimtarëve.